Rama premton rritje pagash për forcat e emergjencës civile
Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar operacionet e Forcave të Armatosura për përballimin e situatës së zjarreve gjatë periudhës së verës, duke thënë se këto struktura treguan sakrificë dhe përkushtim.
Kreu i qeverisë foli nga baza ajrore e Farkës për periudhën e vështirë 1 mujore ku pjesa më e madhe e territorit të Shqipërisë u përfshi nga flakët.
"Nuk mund të rri pa theksuar aspektin kriminal të gjithë këtyre vatrave të zjarrit, të cilat në një pjesë të madhe janë rezultat i rritjes dramatike të temperaturave, por në një pjesë të konsiderueshme janë rezultat i barbarisë," tha kryeminsitri.
Rama u shpreh se të gjithë autorët e zjarrvënieve të qëllimshme duhet të përballen me drejtësinë.
"Më vjen mirë që policia e shtetit ka pasur nëj aktivitet intesiv, por edhe rezultativ. Ka arritur të çojë pas hekurave një numër të madh barbarësh, të cilët nuk meritojnë të jenë të lirë mes komuniteteve dhe qytetarëve, meritojnë të kalben prapa hekurave," tha Rama.
Kryeministri premtoi rritje page për të gjithë forcat e emergjencës civile të cilët lanë shtëpitë dhe familjet e tyre për të mbrojtur natyrën si pasurinë publike e të gjithëve.
Ndërkohë Partia Demokratike e cilëson propagandë të neveritshme të Edi Ramës i cili e shet dështimin si sukses. PD-ja thekson se llogari para ligjit duhet të japin ata që kanë shpërdoruar detyrën./OraNews/
