Infektivi po mbushet, spitali "Covid 3" bëhet gati për t'u hapur
Në 24 orët e fundit janë zbuluar pozitiv me koronavirus 895 persona ndërsa 3 të tjerë humbën jetën. Për shkak të numrit të lartë të pacientëve që kanë nevojë për trajtim të specializuar, Spitali Infektiv po shkon drejt ezaurimit të kapaciteteve. Përkeqësimi i situatës së pandemisë ka detyruar Gjermaninë të vendos rregulla të reja për udhëtarët nga Shqipëria.
Spitali Infektiv po shkon drejt ezaurimit të kapaciteteve, pasi mbi 100 pacientë janë shtruar për trajtimin e nevojshëm pas infektimit me covid.
Rritja e numrit të pacientëve reflektohet edhe te numri i familjarëve që presin jashtë rrethimit të spitalit.
Ata kanë ardhur herët për të dërguar tek të afërmit sendet personale.
Mes pacientëve ka edhe të rinj 20 vjeç.
"Çunin, është 20 vjeç. Ka dhimbje fyti."
Një pjesë e të shtruarve nuk kanë kryer asnjë dozë anticovid, disa nga neglizhenca e të tjerë nga pamundësia.
"Jo, vaksinën jo. Pak neglizhencë edhe e urgjencës së Elbasanit."
"Me babin kemi folur vetëm me doktorin. E sollëm në gjendje të keqe, tani është më mirë. Nuk e kishte bërë vaksinën. Unë me burrin do ta bëjmë."
Por ka edhe nga ata që kanë kryer minimalisht një injeksion ndërkohë që janë infektuar.
"Ka 13 ditë sot, hyn te pacientët e rënduar. Dozën e parë të Pfizer e kishte marrë."
Ndërkohë në spitalin "Covid 3" kanë filluar përgatitjet për ët pritur brenda pak ditësh pacientët e parë të prekur me Covid-19.
Në skenarin për përballimin e situatës parashikohet hapja e spitalit "Covid 3" ndërkohë që edhe të tjerët do të jenë në gatishmëri për pritjen e pacientëve nëse përkeqësohet situata.
Spitali infektiv ka në total 120 shtretër ndërsa "Covid 3" mund të presë deri në 100 pacientë.
Gjermania e liston Shqipërinë në “listën e zezë”, rregulla të reja nga 5 shtatori
Për shkak të përkeqësimit të situatës së pandemisë, Gjermania e konsideron Shqipërinë vend me rrezik të lartë ndaj ka vendosur kufizime të reja.
Nga data 5 shtator ata që do të duan të udhëtojnë drejt këtij shteti duhet të regjistrohen fillimisht në internet, duke ngarkuar aty dëshminë se janë shëruar nga Covid ose janë vaksinuar plotësisht.
Në të kundërt nevojitet një test Covid. Ambasada njofton se pas mbërritjes qytetarët do të duhet të izolohen për 10 ditë./OraNews/
