"Të dashuruar me shqipen", mblidhen në Prishtinë albanologë dhe studentë dashamirës të gjuhës tonë

Ka shumë të huaj dashamirës të gjuhës shqipe dhe me dhjetëra morën pjesë në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare.

Edicioni i 39-të u mbyll në Prishtinë me numra më të kufizuar prej pandemisë, por me po atë entuziazëm të studiuesve e albanologëve nga e gjithë bota.

Vladimir Georgiev, student i ballkanistikës në Bullgari, pati mundësinë t'i praktikojë njohuritë e tij me shqiptarë gjatë sesioneve të gjuhësisë, letërsisë dhe kulturologjisë.

“Kemi lexuar, kemi bërë redaktimin e teksteve në shqip, kemi përkthyer artikuj nga gjuha amtare në gjuhën shqipe dhe mbrëmjeve kemi kërcyer valle shqiptare, valle kosovare me disa nga studentët lokalë, që kanë treguar interes me qenë me ne dhe me tregu më shumë për kulturën shqiptare dhe të na ndihmojnë me shqipen," tha Georgiev.

Seminareve të specializuara iu bashkuan edhe zyrtarë të lartë shteti.

Studentë e studiues nga Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Austria e quajnë gjuhën shqipe të bukur e madje të preferuar ndër gjuhët e tjera.

“Unë mësoj rumanisht, shqip dhe greqisht dhe nuk e di pse shqipja më pëlqen... Seminari ishte ndryshe, ishte shumë mirë, shumë bukur," tha Ruseva.

“Ne nuk e kemi mundësinë që të zgjedhim gjuhët që do të mësojmë. Do të thotë i mësojmë paralelisht greqishten, rumanishten dhe shqipen dhe unë nuk kisha ndonjë dëshirë të mësoja shqipen por kur u takova për herë të parë me të, u dashurova me gjuhën sepse është shumë, shumë interesante dhe nëse merresh me Gadishullin e Ballkanit, mund të mësosh shumë për të nga gjuhët," tha Popovska.

Takimi i përvitshëm për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është mbajtur rregullisht prej vitit 1974 deri në vitin 1991, kur u ndërpre nga autoritetet jugosllave, dhe nga viti 2000 është rikthyer në Prishtinë.

Sipas drejtuesve të seminarit, kontributi i tij ka qenë i pazëvendësueshëm në ruajtjen e shqipes të cilën sot e japin për mësim rreth 20 katedra në universitete të ndryshme europiane./OraNews/