Zjarret në Vlorë/ Rama e Çako lënë në hije Dritan Lelin, i japin shkëlqimin prefektit Flamur Manaj

Kryeministri Edi Rama ndodhet në aktivitetin që po zhvillohet në bazën ajrore në Farkë, lidhur me menaxhimin e situatës së zjarreve në vend.

Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako ka bërë një bilanc të situatës së zjarreve në vendin tonë. Çako falenderoi forcat që morën pjesë në aksionin për shuarjen e flakëve në vend si dhe vendet e huaja për ndihmën e dhënë.

Në ceremoninë që u mbajt në bazën ajrore të Farkës, Rama dhe Çako falenderuan perfektin e Vlorës dhe ministrin e Mbrojtjes për angazhimin serioz në luftën kundër zjarreve. Ndërsa nuk u tha asnjë fjalë për kryebashkiakun e këtij qyteti Dritan Leli.

"Ne jemi një nga vendet me risk të lartë për zjarre. Për shkak të temperaturave të larta Shqipëria u përfshi nga zjarre masive që dogjën, kullota e pemtari. Zjarret përfshinë të gjitha qarqet. Zjarri më masiv ishte në gadishullin e Karaburunit, Maja e Rrunës, në Antigone ku humbën jetën edhe dy qytetarë. U konsiderua e domosdoshme kërkesa për ndihmë dhe asistencë ndërkombëtare, të cilët ndihmuan me helikopterë. 389 vatra zjarri shpërthyen në gjithë vendin. Nga vlerësimi janë djegur 33420 ha kullota, shkurre pyje si dhe 14 rrënjë ullinj pemtari.

Situata e zjarreve dhe dëmet e shkaktuara evidentuan gatishmërinë e forcave të Mbrojtjes Civile në Shqipëri. Një falënderim për prefektët e qarqeve dhe strukturat vendore, një veçanti për prefektin e Vlorës Flamur Manaj, kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi, kryetarin e Bashkisë së Fushë-Arrëzit zotin Fran Tuçi dhe të tjerë. Respekt dhe falënderim për partnerët tanë kombëtar”, tha Çako.

Ndërsa kryeministri Rama tha: "Shkëlqeu prefekti i Vlorës." /OraNews/