Në pritje të ekstradimit, malazezi në Han të Hotit u kap me Audi luksoze dhe 50 mijë euro
Gjykata e Tiranës ka dhënë masën “arrest me burg” për 41 vjeçarin shqiptar Leksi (Aleksandër) Vulaj nga Mali i Zi i arrestuar me 31 gusht në pikën kufitare me Malin e Zi, në Grabom të Malësisë së Madhe.
Ai rezulton i shpallur në kërkim nga drejtësia amerikane, për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash.
Gjatë arrestimit në Shkodër, shqiptarit mësohet se i është sekuestruar makina tip Audi dhe 50 mijë euro cash.
Sipas autoriteteve amerikane Vulaj akuzohet se drejtonte shpërndarjen e drogës në Michigan.
Ai dyshohet se organizoi dërgesën dhe dorëzimin e 10 kilogramëve kokainë në këtë distrikt që u zbulua nga agjentet e DEA-s.
Ndonëse kishte një vendim gjyqësor nga drejtësia amerikane, e cila më 9 qershor të vitit 2021 ka caktuar ndaj tij masën “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, 41 vjeçari qëndronte në Mal të Zi dhe Gjykata atje e ka pasur të pamundur ekstradimin për shkak të mungesës së një marrëveshje të tillë me SHBA-të.
Më pas, Vulaj arriti të lëvizte krejt lirshëm për të hyrë në Shqipëri. Nisur nga ky informacion i marrë nga Zyra e DEA-s në Athinë, se një i përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve mund të hynte në territorin shqiptar, policia e shtetit organizoi punën për lokalizimin e vendndodhjes dhe arrestimin e tij.
Neutralizimi i tij u bë në rrugën Tamarë-Hani i Hotit, në kuadër të operacionit “Detroit”, pas një pune hetimore që zgjati më shumë se një muaj. Pas vendimit të gjykatës autoritetet shqiptare janë duke vijuar procedurat për ekstradimin e të kërkuarit në Shtetet e Bashkuara.



/OraNews/
