Edy Reja: Nuk kemi ardhur për të humbur me Poloninë, luajmë pa frikë
Trajneri Edy Reja foli në konferencën për shtyp nga Varshava në vigjilje të sfidës tepër delikate dhe të rëndësishme për Shqipërinë.
Trajneri kuqezi vuri theksin te përgatitja e skuadrës duke pranuar se nuk do të jetë aspak një sfidë e lehtë po të mendosh që Polonia ka kohë që nuk humbet në shtëpi.
“Për ne ndeshja nuk do të jetë e lehtë. Edhe si traditë, kjo është një skuadër e cila nuk mundet në shtëpi prej 7 vitesh, ndaj nuk është e lehtë se ka vlera. Duhet të bëjmë ndeshje të kujdesshme, por pa harruar fazën ofensive, duhet bërë presing në fazën ofensive, nëse duam t’i krijojmë probleme. Nuk duhet të gabojmë asgjë pasi me Lewandowskin dhe me lojtarë të tjerë të rrezikshëm nga krahët mund të pësojmë. Duhet të ndërtojmë një barrierë dhe t’u japim sa më pak mundësi që të arrijnë në portë”.
Trajneri Italian ka besim te skuadra dhe grupi kuqezi por e pranoi se shpreson në një ditë jo të mirë të Lewandowskit.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm që po rritemi, kemi rritur ndërgjegjësimin, jemi kompakt, sulmuesit po punojnë mirë sidomos së fundmi dhe në fund sipas opinionit, jemi skuadër që mbyllemi mirë e rinisemi. E kemi treguar në disa ndeshje, jo gjithmonë. Për Lewandowskin duhet organizim shumë i mirë nga ne. Është një lojtar i jashtëzakonshëm në zone ku krijon probleme të mëdha. Duhet ta markojë gjithë mbrojtja, nuk mjafton një lojtar. Duhet t’i heqim sa më shumë hapësira. Shpresoj të mos jetë në ditën e tij dhe te Polonia e ka të vështirë të japë rendimentin që jep te Bayern, por vlerat e tij janë të padiskutueshme”.
Lidhur me sfidën dhe presionin e humbjes, Reja e ka të qartë objektivin e skuadrës kuqezi.
“Në një ndeshje nuk futesh asnjëherë me idenë e humbjes, por për të fituar apo marrë pikë. Ne duhet të japim më të mirën në këtë ndeshje. Që në nisje të kësaj faze kemi qenë të vendosur për të shkuar me synimin për të marrë pikë. Motoja jonë është ‘respekt për të gjithë, frikë për asnjë’. Raportet me me Souza? Ne kemi raport të mirë dhe respekt me njëri-tjetrin.Ndoshta nuk bëri aq mirë në Euro 2020 por shpresoj të gjejë formulën e duhur me Poloninë por gjithmonë pas ndeshjes me ne”, përfundoi me shaka trajneri Reja.
