Spezia “flet” shqip. Zyrtarizon dy sulmuesit shqiptarë, Manaj dhe Bozhanaj
Një për sot dhe menjëherë dhe një për të ardhmen. Spezia ka bërë dy goditje “shqiptare” në merkato teksa ka zyrtarizuar dy sulmuesit kuqezi, Rey Manaj dhe Kleiz Bozhanaj.
Teksa i pari ishte kompletuar dhe pritej vetëm zyrtarizimi, për të dytin u bë gjithçka konkrete në orët e fundit të merkatos.
Rey Manaj do të jetë menjëherë pjesë e Spezias këtë sezon për të luajtur shanset në Serinë A, ku u huazua me të drejtë blerjeje 3 mln Euro nga Barcelona, ndërsa Bozhanaj është një goditje në perspektivë, shkruan Ora News.
20-vjeçari, pjesë e Shqipërisë U-19, ishte protagonist sezonin e kaluar me të rinjtë e Empolit ku fitoi titullin kampion Primavera në Itali ndërsa tani do të jetë i Spezias dhe këta të fundit vendosën ta huazonin.
Kështu për të luajtur rregullisht, Bozhanaj do të luajë në kategorinë e dytë portugeze në huazim për një sezon me ekipin, Casa Pia AC, ku do të ketë shans të tregojë edhe vlerat e tij.
