Tentoi të trafikonte mbi një ton kanabis drejt Greqisë, Apeli lë në burg Bashkim Murataj

Gjykata e Apelit ka lënë në burg pa afat të arrestuarin e fundit për tentativën e trafikimit të 1 ton drogë nga Shqipëria drejt Turqisë në vitin 2019. Bashkim Murataj ra në pranga dy javë më parë dhe përmes avokatit kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë, por togat e zeza vendosën mbajtjen e tij në qeli deri në fund të hetimeve. Për këtë çështje prokuroria ka ngritur akuzë edhe ndaj 5 personave të tjerë.

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në "arrest me burg" shtetasin Bashkim Murataj, i arrestuar më 11 gusht të këtij viti për akuzën e trafikimit të një ngarkese prej një ton drogë, si pjesë e një grupi kriminal.

I pandehuri kishte apeluar vendimin e Shkallës së Parë, por pavarësisht kërkesës së mbrojtes, Apeli e ka gjykuar të drejtë masën shtrënguese ndaj tij duke lënë në burg.

Dy vite më parë 57-vjeçari ishte i shpallur në kërkim, pasi në dhjetor  2019-ws i ishte caktuar masa e sigurisë "arrest nw burg" për trafik lëndësh narkotike.

Ai dyshohet se është i implikuar në ngjarjen e datës 13 dhjetor 2019, në pikën kufitare Kapshticë, ku gjatë kontrollit në një automjet u gjetën dhe u sekuestruan 1072.4 kg lëndë narkotike kanabis.

Lënda narkotike është gjetur në dy kamionët e bllokuar në pikën kufitare ku u arrestuan në flagrancë në atë kohë drejtuesit e mjeteve Zija Hidri e Ardian Sako.

Lënda narkotike ishte e ndarë në 103 thasë me krunde, të fshehura në dy kamionët që udhëtonin drejt Greqisë, ndërsa si destinacion final kishin Turqinë.

Pas kësaj ngjarje, i vetmi që kishte mbetur në arrati ishte Bashkim Murataj i cili akuzohet për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në “Grup të strukturuar kriminal”.

Tre persona të tjetë, Gentian Ramadani, Andrea (Renato) Muça dhe Mariglen Sako, akuzohen për trafik droge e moskallëzim krimi në lidhje me këtë çështje.