Arrestohen shpërndarësit e heroinës në Elbasan, pranga trafikantit të klandestinëve

Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Elbasanit për shitje të drogave të forta në doza të vogla.

Të arrestuarit  janë vëllezërit Ahmet Kushi, 31 vjeç dhe Aleksandër Hazizaj, 39 vjeç si dhe Besmir Duka, 32 vjeç, të tre banues në Elbasan.

"Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në lagjen "5 Maji", Elbasan, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasve Ahmet dhe Aleksandër (vëllezër), shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, 3 aparate celular, një peshore të vogël që shërbente për peshimin e lëndës narkotike, një sasi municioni luftarak, kokrra të bardha të dyshuara si metadon dhe një sasi parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike".

Në një tjetër operacion policia e Elbasanit vuri në pranga një 29-vjeçar, i cili u kap në flagrancë duke transportuar 10 emigrantë të paligjshëm.

"Pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte në drejtim të Tiranës, disa shtetas nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin Shpëtim Memolla,  29 vjeç, banues në Peqin. Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Elbasan-Tiranë, duke transportuar me një mjet tip "Range Rover", 10 shtetas të huaj, kundrejt fitimit 50 euro për person, si dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar".

Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan mjeti tip "Range Rover", një aparat celular dhe një sasi parash.