Atentati ndaj Edison Begajt, identifikohet autori që ishte me maskë dhe uniformë policie

Zbardhet tentativa e vrasjes së 41-vjeçarit Edison Begaj më 29 maj 2021, në fshatin Kaninë të Vlorës. Policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar, shtetasin Mitri Prifti, 36 vjeç, banues në Tiranë.

"Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, veprimeve hetimore procedurale, si dhe provave ligjore (shkencore) të siguruara në lidhje me këtë ngjarje, nga ana e specialistëve të Seksionit Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, u bë e mundur shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit Mitri Prifti, 36 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”njoftoi policia.

Prifti dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri 41-vjeçarin Begaj, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur.

Autori i plagosjes ishte i maskuar si efektiv policie dhe e sulmoi Begajn me armë zjarri në sy të dy fëmijëve në derë të shtëpisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.