Vodhi 1 mln lekë medikamente për Covid dhe tumore në farmacinë e spitalit, arrestohet infermieri
Nikolin Ciko, me detyrë infermier në Spitalin e Korçës, është arrestuar me akuzën se ka vjedhur një sasi medikamentesh në spital dhe më pas ua ka shitur pacientëve duke përfituar shuma të mëdha parash. Ilaçet dhe pajisjet e vjedhura nga infermieri kapin vlerën e 10 milionë lekëve të vjetëra. Vetë infermieri ka pranuar krimin, duke thënë se e ka kryer vjedhjen pasi kishte borxhe dhe kredi për të paguar.
Nikolin Ciko, infermier urgjence në Spitalin e Korçës, është arrestuar nga policia pasi autoritetet kanë mbledhur prova të mjaftueshme që vërtetojnë se Ciko ka vjedhur ilaçe në spital dhe ka përfituar shuma të mëdha parash duke i shitur ato.
Sipas policisë, më 8 mars ka ndodhur vjedhja e parë e farmacisë së spitalit nga infermieri, ndërsa episodi i dytë i përvetësimit të ilaçeve ndodhi me 30 gusht, pak orë para se Nikolin Ciko të vihej në prangat e policisë.
Policia ka arritur në përfundimin se Ciko ka vjedhur edhe pajisje mjekësore, ndërsa vlera e të gjithë artikujve përllogaritet të kapë shifrën e 1 milionë lekëve të reja.
Sipas informacioneve të hetuesve, infermieri i urgjencës kishte vjedhur nga farmacia e spitalit një sasi medikamentesh dhe pajisjesh të cilat shërbenin për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe me sëmundje tumorale, ndërsa më vonë i shiste ato privatisht dhe paratë i merrte për vete.
Në dëshminë e tij para policisë pas arrestimit 43-vjeçari ka pranuar se ka kryer vjedhjen, duke arsyetuar se kishte borxhe dhe kredi për të paguar.
Ciko edhe më herët është akuzuar nga familjarët e pacientëve dhe media se përdorte një skenë mashtrimi për kurën e Covid-19, skenë kjo që ai mendohet të ketë përfituar miliona lekë.
