Surpriza nga demokratët/ Gert Bogdani, Alizoti dhe Gjekmarkaj, më të votuarit e Kryesisë së PD-së

Gert Bogdani dhe Tomorr Alizoti janë dy anëtarët më të votuar të Kryesisë së re të Partisë Demokratike. Ishte ky përfundimi surprizë i votimeve të djeshme të Këshillit Kombëtar demokrat i cili votoi dje 15 anëtarët e rinj të Kryesisë, 10 nga të cilët janë burra dhe 5 gra.

Këshilli Kombëtar i demokratëve votoi mbrëmjen e së hënës emrat e 15 anëtarëve të rinj të Kryesisë së re të Partisë Demokratike, 10 prej të cilëve janë burra dhe 5 gra.

Duke iu referuar votimit rezulton se anëtari më i votuar i kryesisë është ish-deputeti Gerti Bogdani me 281 vota, i ndjekur nga Tomorr Alizoti me 179 vota, dhe prurja më e re e Bashës, Agron Gjekmarkaj me167 vota anëtarësh të Këshillit Kombëtar.

Ndërkaq, renditja vijon me Ervin Salianjin i cili ka marrë 151 vota; Flamur Noka me 146 vota; Oerd Bylykbashi me 125 vota, Kreshnik Çollaku me 123 vota; Aldo Bumçi me 120 vota, Fitim Zekthi me 119 vota dhe Gent Strazimiri me 114 vota anëtarësh të Këshillit Kombëtar të PD-së.

Ndërkohë, sa i përket grave të Kryesisë së re të PD-së ato janë Oriola Pampuri; Dhurata Çupi; Juela Hamati; Taulanta Jupi dhe Lindita Metaliaj.

Emrat fitues u përzgjodhën nga 62 kandidatë në garë. Në dy fletët e votimit ishin 42 kandidatë burra dhe 20 gra.

Po dje anëtarët e Këshillit Kombëtar demokrat votuan edhe listën e propozuar nga kryetari Lulzim Basha për postet drejtuese në parti, ku u votuan edhe emrat e katër nënkryetarëve, Grida Duma, Jorida Tabaku, Alfred Rushaj dhe Enkelejd Alibeaj.