Plumba për një shpullë në publik, si u zbulua juristi që u vesh si “polic” në atentatin ndaj Edison Begajt
Katër plumba në sy të fëmijëve për një shpullë në publik. 36-vjeçari Mitri Prifti, është shpallur në kërkim pasi dyshohet se është personi që i bëri atentat Edison Begajt në derë të shtëpisë mbrëmjen e 29 majit. I riu me profesion jurist u fsheh pas një veshje të ngjashme me atë të Policisë së Shtetit.
Mitri Prifti, 36 vjeç, banues në Tiranë, me profesion jurist, është personi që u vesh si efektiv policie dhe i bëri atentat Edison Begajt në derë të shtëpisë në Kaninë të Vlorës, më 29 Maj.
Një shpullë në publik është shkaku i dyshuar i sulmit në sy të fëmijëve ndaj 41-vjeçarit që mbeti i plagosur.
Tre muaj pas ngjarjes, policia e Vlorës ka arritur të zbardhë të plotë dinamikën dhe motivet e konfliktit mes dy burrave.
Burimet thonë se disa ditë para ngjarjes ata janë konfliktuar në një lokal në zonën e Lungomares,
Edison Begaj e ka qëlluar në publik 36-vjeçarin që rezulton kushëri i bashkëshortes së tij të ndjerë.
Kush është Mitri Prifti

Kamerat e sigurisë së lokalit kanë dokumentuar konfliktin, ndërsa dëshmia e vetë Edison Begajt më pas e ka konfirmuar përplasjen.
Për këtë Mitri Prifti dyshohet se e sulmoi më pas.
Ai mbante një veshje të ngjashme me atë të efektivëve të policisë kur i bëri atentat Edison Begajt në sy të fëmijëve të mitur në makinë.
AND-ja e Mitri Priftit u zbulua edhe në një makinë të braktisur që u gjet në Fier një ditë pas ngjarjes, thonë burimet.
Mbi bazë të këtyre provave, Gjykata e Vlorës ka caktuar ndaj tij masën e sigurië “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Por 36-vjeçari mësohet se gjatë kësaj kohe ka arritur të largohet nga Shqipëria dhe tashmë është shpallur në kërkim.
Edison Begaj, një personazh i njohur për policinë e Vlorës, mori 4 plumba në gjymtyrët e poshtme gjatë atentatit por pa rrezik për jetën.
Dy javë pas atentatit ai u arrestua nga Forcat RENEA në një lokal, ku u kap me armë me vete por gjykata e nxori nga qelia.
Edhe Mitri Prifti rezulton person i njohur për drejtësinë.
Ai rezulton i dënuar në Zvicër për trafik droge, ndërsa në vitin 2016 emri i tij doli në skenë si ndërmjetës në një konflikt mes Emiljano Shullazit e kushëririt të tij Jani Zaka.

