Shuhet zjarri në Prespë, avionët greke dhe zjarrfikësit shqiptarë shpëtuan parkun Kombëtar

Avionët grekë dhe zjarrfikësit shqiptarë shuan plotësisht zjarrin në Parkun Kombëtar të Prespës, ku flakët dogjën rreth 7 hektarë. Dyshimet janë për zjarrvënie të qëllimshme.

Ndërhyrja nga ajri dhe toka gjatë së dielës dhanë rezultate dhe shpëtuan Parkun Kombëtar të Prespës nga flakët.

Zjarri u arrit të izolohet në orët e para të së hënës dhe në vijim u shua plotësisht.

Vatra ishte aktive për rreth tre ditë.

Rreth 100 forca zjarrfikëse nga bashkitë juglindore dhe punonjës të zonave të Mbrojtura u angazhuan për të vënë nën kontroll zjarrin që vijonte prej tre ditësh.

Rreziku që zjarri në zonën e mbrojtur të kalonte kufijtë vuri në alarm edhe palën greke.

Ata angazhuan dy avionë të vegjël dhe një helikopter për shuar plotësisht flakët.

Tashmë që rreziku për Parkun Kombëtar kaloi, për autoritetet është koha e bilancit dhe gjetjes së përgjegjësive.

Paraprakisht përllogaritet se zjarri ka përshkruar më tepër se 10 ha sipërfaqe, ndërsa rreth 7 ha janë djegur plotësisht.

Dyshimet janë se zjarrvënia ishte e qëllimshme dhe policia mësohet se po punon për të identifikuar zjarrvënësin.

29 persona janë arrestuar, 38 po hetohen në gjendje të lirë dhe 7 të tjerë janë në kërkim për zjarret që dogjën mijëra hektarë pyje e toka në të katër anët e vendit këtë verë.