Eksplozivi në makinën e Debreshit, Vetëvendosje: Drejtësia të veprojë, dhuna ndaj minatorëve është e drejtpërdrejtë
Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, ka reaguar lidhur me shpërthimin me eksploziv në makinën e kryetarit të kësaj sindikate, Elton Debreshi.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, LVV, dënon vendosjen e eksplozivit ndaj Debreshit, teksa shkruan se organet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë në zbardhjen e plotë të këtij akti, që sipas LVV mund të ketë si synim edhe përhapjen e terrorit më gjerë.
"Dënojmë krimin dhe terrorin e drejtuar ndaj sindikalistit Elton Debresh. Në orët e para të mëngjesit të sotëm një sasi eksplozivi ka shpërthyer automjetin e Elton Debreshit, minatorit që drejton Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar në Bulqizë, dhe ish kandidat i pavarur për deputet. Automjeti ka qenë pranë shtëpisë së tij, por fatmirësisht nuk ka patur të lënduar. Shprehim solidaritetin me z. Debreshi, familjen dhe kolegët e tij, duke e dënuar këtë krim që duket se tenton të godasë më gjerë edhe sindikalizmin dhe aktivizmin në Shqipëri. Organet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë duke bërë zbardhjen e plotë të këtij akti që përveç sulmit ndaj Elton Debreshit mund të ketë si synim edhe përhapjen e terrorit më gjerë.
Në vititn 2019, Elton Debreshi dhe disa prej kolegëve të tij sindikalistë janë pushuar nga puna nga kompania “AlbChrome” në pronësi të Samir Manes, për shkak të angazhimit të tyre sindikalist. Këtë javë kolegu sindikalist i Elton Debreshit, minatori Beqir Duriçi, gjithashtu i pushuar nga puna, ka fituar gjyqin në shkallën e parë për dëmshpërblim nga kompania “AlbChrome”.
Minatorët në Bulqizë janë nën kërcënimin e vazhdueshëm nga pronarët e kompanive që nuk respektojnë të drejtat e punëtorëve dhe kushtet bazë të punës, mungesa e të cilave u ka marrë jetën me dhjetra minatorëve. Nga ana tjetër, kur minatorët janë organizuar për të mbrojtur të drejtat e tyre e për të kërkuar Statusin e Minatorit, ata janë kërcënuar në mënyra nga më të ndryshmet. Përmes taktikave mafioze, dhuna ndaj minatorëve është strukturore dhe e drejtpërdrejtë. Akte të tilla kriminale jo vetëm duhen dënuar njëzëri që të ketë përgjegjësi penale, por edhe duhet të shërbejnë si thirrje për angazhim për drejtësi sociale!".
Një sasi eksplozivi shpërtheu në makinën e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi.
Ngjarja u shënua rreth një orë pas mesnate, ndërsa mjeti ishte i parkuar pranë banesës së Debreshit, në fshatin Dushaj të njësisë administrative Fushë-Bulqizë.
Ekspertiza tregoi se lënda plasëse ishte e vendosur në pjesën e përparme të mjetit.
