Akuzohet se vrau shokun për borxh droge, gjykata e Vlorës lë në burg Selmanaj

39-vjeçari Bledar Selmanaj, i akuzuari kryesor për vrasjen e 25-vjeçarit Xhuljano Bullari tek Qafa e Topit në Babicë të Vlorës, doli pasditen e sotme para gjykatës së Vlorës.

Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, pa praninë e medias, vendim ky i marrë nga relatori i çështjes.

Ora News mëson se Selmanaj edhe në sallën e gjyqit ka mbajtur të njëjtin qëndrim si para policisë, duke mohuar autorësinë e krimit.

"Nuk kam lidhje me ngjarjen" mësohet të jetë shprehur ai.

Prokurorja Flora Çela kërkoi "arrest me burg", kërkesë e cila u pranua nga gjyqtari i çështjes Enkel Peza.

 

Blerja e një sasie droge prej 100 kg hashash, deri në këto momente dyshohet të jetë bërë shkak i vrasjes me 3 plumba të 25-vjeçarit nga Peqini, Xhuljano Bullarit.

Autori i krimit, Bledar Selmanaj, ka dhënë dëshmi kontradiktore në polici, duke pohuar se blerja e kësaj sasie droge nga shokë të Xhuljanos është bërë në Vlorë, dhe se pagesa është kryer me para false.

Por pavarësisht kësaj dëshmie, Bledar Selmanaj, nuk ka pranuar autorësinë e krimit, duke pretenduar se ai nuk e ka qëlluar shokun e tij me armë.

Akuzohet se vrau shokun për borxh droge, gjykata e Vlorës lë
Autori i dyshuar Bledar Selmanaj dhe viktima Xhuljano Bullari