Çollaku: Vendimi për akomodimin e afganëve në vendin tonë human, u shpëtojmë jetën

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News,  deputeti i zgjedhur i PD për qarkun e Dibrës, Kreshnik Çollaku, ka komentuar ardhjen e afganëve në vendin tonë.

Ai është shprehur se nuk është kundër ardhjes së tyre, dhe sipas tij akomodimi i afganëve në vendin tonë është një veprim jo vetëm human por edhe detyrim.

Më tej shton se Shqipëria ka kapacitet për të strehuar 4 mijë afganë, të cilët po largohen nga vendi i tyre pasi talibanët kanë marrë në dorë pushtetin.

"Mendoj se është sjellje e arsyeshme, unë  e kam përshëndetur kontributin e Shqipërisë në këtë situatë të vështirë. Mendoj se është një detyrim  për të akomoduar disa të larguar gjatë lufte , njerëz të cilëve u cënohet jeta në një regjim të çmendur si ai i talibanëve. Mendoj se është brenda mundësive tona për të akomoduar këto të larguar dhe për të akomoduar, dhe për të kontribuar  në formë modeste në bashkëpunimin tonë me NATO-në he SHBA. 

Me një organizim të mirë, me  një organizim inteligjent mendoj se Shqipëria do të jetë në gjendje të presë 4 mijë talibanët. Shqipëria edhe pse nuk është një vend i pasur, ekonomia edhe pse nuk është një ekonomi që lulëzon,  ne jemi një vend që mund të shpëtojmë jetën e 4 mijë njerëzve të persekutuar. Edhe nga ana humane edhe nga ana politike, jam në mbështetje të saj, gati gati më duket si një detyrim moral .

Është një angazhim minimal që mund të bëjmë pasi ne kemi mundësi. Shqipëria sikur përfiton nga NATO dhe SHBA, ka detyrimet e veta  për të akomoduar disa njerëz në nevojë.  Ka vende që e kanë parë me skepticizëm, ka vende që  kanë refuzuar rolin e SHBA si garant i sigurisë globale. Mikëpritja e afganistanëve është një gjest modest, as heroik dhe as i jashtëzakonshëm, në raport me atë që duhet të japim."

Më tej ai ka thënë se Shqipëria nuk është e përjashtuar nga rreziku i terrorizmit, pasi është një vend në udhëkryq të rrugëve strategjike dhe gjeografike.

"Si parimisht dhe teorikisht nuk duhet të jemi të përjashtuar nga prania e rrezikut të terrorizmit. Shqipëria për shkak të pozicionit të saj është në udhëkryq të rrugëve strategjike dhe gjeografike në botë dhe është logjike që mos të jetë në pikësynimin e  çdo lloj fuqie për të gjetur hapësirat këtu. Megjithatë më mungon  informacioni se sa është kapaciteti  i vendit tonë për t’iu përgjigjur katre rreziqeve."

Intervistoi Anila Zyberaj, përgatiti për online Anila Kolgjini.