Mori 2 mijë euro për ndërtim, polici mbetet në burg, dosja në SPAK
Gjykata e Tiranës i kalon për kompetencë SPAK dosjen në ngarkim të Levzat Veselit, efektivit të Komisariatit të Policisë nr.6, i akuzuar për "korrupsion" dhe "shpërdorim detyre".
Veseli dyshohet se ka marrë 2 mijë euro rryshfet nga një qytetar në këmbim të lejimit të një ndërtimi pa leje.
Këtë të premte gjykata e kryeqytetit caktoi masën e sigurisë "arrest në burg" ndaj tij.
Mësohet se 47-vjeçari, me detyrë Ndihmës Specialist i Policisë Kriminale pranë këtij Komisariati, u ndalua pas kallëzimit të një punonjëseje të bashkisë së Tiranës, e cila kishte konstatuar ndërtimin dhe menjëherë ka nisur hetimi në lidhje me këtë rast.
Pas hetimit të policisë, rezultoi se punonjësi i policisë Veselaj gjatë një periudhe kohore të vazhdueshme, ka kryer veprime aktive, në shpërdorim të funksionit të tij, duke kërkuar dhe marrë shuma monetare të paligjshme.
Ai ka premtuar mosveprimin e strukturave policore për ndërprerjen e paligjshmërisë në fushën e ndërtimeve pa leje dhe këtë e bën edhe kundrejt pagesës.
Por hetimet kanë përfshirë edhe punonjës të tjerë të këtij komisariati që dyshohet se mund të kenë bashkëpunuar me inspektorin e arrestuar.
Ky është rasti i dytë brenda një jave që shërbimi për çështjet të brendshme dhe ankesat në Ministrinë e Brendshme çon para drejtësisë punonjës policie të inkriminuar me veprimtari kriminale.
Pak ditë më parë u prangos edhe efektivi i RENEA-s, Rael Luli, pasi dyshon i përfshirë në trafikun e kokainës në kryeqytet.
