Mbërrijnë 121 afganët e parë në Shqipëri, Andoni: Qeveria duhet të rrisë transparencën dhe të ulë propagandën
Grupi i parë i shtetasve afganë, rreth 121 persona mbërritën në Shqipëri në orët e para të mëngjesit të sotëm, 27 gusht. Ata u strehuan në Durrës dhe në Kavajë.
Analisti Ben Andoni i ftuar në studion e RTV Ora u shpreh se qeveria duhet të kishte qenë transparente që në fillim me qytetarët për strehimin e afganëve.
Andoni: "Mendoj se janë pak të tepruara fjalët për shkak se i gjithë procesi i evakuimit është shumë i vështirë. Kur me këtë vështirësi po përballen vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria që do shërbejë thjesht si një vend për strehimin e tyre mendoj që fjalët janë të tepërta. Mendoj që e vetmja gjë e cila më përball me atë që vazhdimisht paraqitet tek ne, është që qeveria mund të ishte pak më transparente që në momentet e para që zoti Rama kishte folur në samitin e NATO-s, sipas fjalës së tij. Mund të përgatiteshin strukturat, njerëzit, që do të thotë mund të lehtësoheshin nga konfuzioni i fjalëve të cilat mjedisin tonë e mbushin."
Andoni tha se qeveria duhet ta kishte kursyer pjesën e propagandës dhe duhet të kishte shtuar transparencën. Sipas tij vendi ynë ende nuk ka kapacitetet e duhura, pasi shumë qytetarë të prekur nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 kanë nevojë për strehim.
Andoni: "Unë mendoj që ata nuk e rrezikojnë vendin tonë. Problemi i madh është që ne duhet të tregojmë kapacitetet tona, nga ana tjetër e dimë shumë mirë që kapacitetet tona nuk janë aq të mëdha. Ne akoma nuk kemi kaluar pasojat e tërmetit, ka akoma shumë banorë të cilët kanë probleme me strehimin dhe nuk mund të vësh kaq faj të paktën në pjesën e administratës. Pjesa tjetër që mendoj se duhet të ishin transparentë është te mirëbesimi për të folur me popullin shqiptar që jemi përballë kësaj situate dhe ne do shërbejmë. Më shumë është përplasur në pjesën propagandistike, çfarë janë, çfarë do vijnë, pse nuk duhet t'i paragjykojmë etj. Unë mendoj që me gjërat që tregohej, jo vetëm që Shqipëria është e paqartë po dhe SHBA është shumë e paqartë deri në 31 gusht, kur do mbarojë zyrtarisht evakuimi. Për këtë mendoj që mund të kursehej pak propaganda dhe duhet të shtohej transparenca. "
Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
