Nuk ndryshon qëndrim gjyqtari, babai i Arbër Çekajt mbetet në burg dhe pse prokurori ishte dakord për "lirimin"

Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë për Selim Çekën, babai i Arbër Çekajt.

Gjyqtari, Dhimitër Lara, nuk pranoi të zbusë masën e sigurisë megjithëse edhe prokurori ishte dakort me një masë më të lehtë sigurie.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur me herët edhe GjKKO.

72-vjeçari, Selim Çekaj, ndodhet prej javësh në spital. Në seancën e mëparshme avokati i tij Maksim Haxhia kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Dhimitër Lara nga vendimi për ndryshimin e masës pasi pretendon se i njëjti gjyqtar ka gjykuar të birin, Arbër Çekaj.

Pavarësisht kërkesës, Lara nuk u tërhoq por vazhdoi seancën. Në këto kushte avokati Haxhia doli nga salla dhe në një prononcim për mediat e akuzoi gjyqtarin se është pozicionuar kundër familjes Çeka.