Momenti kur arrestohet Ferdinand Llanaj i njohur si 'Robi', njëri tenton ti fshihet policisë në shkurre (VIDEO)

Publikohen pamjet e operacionit policor në Selenicë ku u arrestua Ferndinand Llanaj, 43 vjeç, me precedent të mëparshëm kriminal.

Llanaj është personi që shfaqet me bluzën ADIDAS teksa shoqërohet nga policia.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Forcat Speciale RENEA dhe Drejtoria e  Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Sëbashku me Llanaj i njohur dhe me pseudonimin "Robi" u arrestuan dhe Dritan Begaj, 54 vjeç, banues në Vlorë dhe Ergi Cura, 21 vjeç, banues në Librazhd.

Siç mund ta shikoni në pamjet në video të filmuara me dron, njëri nga të arrestuarit tenton të fshihet në shkurre.

"Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin kultivuar 600 bime kanabis sativa  në ambientet e banesës së Llanaj dhe në ambientet përreth një objekti po në pronësi të këtij shtetasi, në vendin e quajtur “Përroi i Otimës”, Selenicë" njoftoi policia.   

Po kështu u gjet dhe një sasi tjetër kanabisi në formë boçesh.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto ambiente, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike kanabis, 4 automjete, dy prej tyre të blinduara, 6 aparate celular dhe një shumë parash.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

 

Momenti kur arrestohet Ferdinand Llanaj i njohur si 'Robi',
Në foto: Majtas një nga të arrestuarit e fshehur, djathtas Llanaj i veshur me ADIDAS