Rama poston video nga momenti i mbërritjes së afganëve në Rinas: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut

Teksa ka publikuar videon me momentin e mbërritjes së tyre në Rinas, kryeministri Edi Rama u ka uruar mirëseardhjen 121 afganëve të parë që do të strehohen në vendin tonë.

Rama edhe njëherë vë theksin te tradita e mikëpritjes shqiptare.

Rama shkruan se 121 fëmijët, gratë e burrat nga Afganistani që mbërritën mbrëmë, janë fatkeqë të cilët braktisën shtëpinë e tokën e tyre, për të shpëtuar jetën.

"MIRËMËNGJES PA U GDHIRË dhe me këtë episod live mikpritjeje shqiptare, që na kujton kush ishim dikur e na bën nder si vend e si popull, që krenohemi me traditën jo veç me fjalë, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve, duke i uruar së bashku me të gjithë ju mirëseadhjen, në tokën ku ligji i të parëve thotë se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, edhe 121 fëmijëve, grave e burrave nga Afganistani fatkeq, të cilët braktisën shtëpinë e tokën e tyre, për të shpëtuar jetën" shkruan Rama.

Rreth orës 3.20 (27 gusht) mbërriti në aeroportin e Rinasit, avioni i parë me 121 qytetarë afganë, mes të cilëve 11 foshnja.

Afganët e tjerë që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë në konviktet e Qytet Studenti.

Shqipëria ka pranuar të strehojë rreth 4000 afganë përkohësisht, teksa përpunohen aplikimet e tyre për të emigruar për në Shtetet e Bashkuara.