Tregu i minave me celular, më shumë se 25 bomba të sekuestruara në të gjithë vendin
Më shumë se 25 bomba, të cilat ishin instaluar me telefon, gati për shitje, janë sekuestruar nga Policia e Shtetit që nga fillimi i vitit. Aksionet më të shumta i ka zhvilluar Drejtoria Vendore e Policisë së Durrësit ku edhe këtë të enjte në pranga ka rënë një 50-vjeçar, të cilit iu gjetën 4 mina të tilla.
Tregtia e minave me telekomandë duket se ka gjetur terren të gjerë në Shqipëri.
Në 8 muajt e parë të këtij viti janë sekuestruar të paktën 25 mina me celularë dhe në pranga kanë rënë 14 persona. Operacionet më të shumta janë kryer nga Drejtoria Vendore e Policisë së Durrësit dhe më pas renditet Lezha dhe Elbasani.
Dyshimet janë se ka një grup të mirëorganizuar për montimin e materialit shpërthyes, duke u përqendruar në zonën e Fushë Krujës.
Burimet bëjnë më dije se persona të ndryshëm rekturohen në këtë aktivitet kundrejt një shumë të lartë pagesash.
Shpesh këta individë janë të skeduar më parë nga policia, kjo duke iu referuar të ndaluarve.
Në fund të muajit korrik u bllokuan dy mina me telekomandë nga policia e Lezhës.
Ndërsa këtë të mërkurë, 50-vjeçarit Arben Elezi nga Larushku i Fushë Krujës, i cili rezulton me precedent penal në fushën e narkotikëvë, dhunë në familje dhe armëmbajtjes pa leje, iu gjetën katër mina.
Nuk janë të pakta rastet ku persona të ndryshëm, qoftë edhe zyrtarë, si punonjës policie, prokuror etj, kanë qenë shënjestër e sulmeve me tritol.
Për policinë mbetet ende sfidë zbulimi i bazës së montimit të këtyre lëndëve plasëse, të cilat kohëve të fundit kanë pasur edhe rritje të çmimeve.
