Protestuan për anulimin e udhëtimit me traget, procedohen 3 qytetarë, nën hetim pronarët e linjës
Policia e Durrësit ka proceduar penalisht tre prej udhëtarëve që protestuan një ditë më parë në Durrës pasi udhëtimi i tyre me traget ishte anuluar.
Ata akuzohen për pengim të qarkullimit të mjeteve duke organizuar protestë të paligjshme.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht për veprat penale "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", shtetasit A. M., 50 vjeç, banues në Skrapar, A. G.,52 vjeç, banues në Divjakë dhe Xh. D., 52 vjeç, banues në Shijak".
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme, rreth orës 16:30, në lagjen nr.4, Durrës, pasi janë njoftuar se udhëtimi i tyre me traget ishte anuluar, kanë organizuar protestë në mënyrë të paligjshme, me pasagjerët e linjës, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në rrugë, sqaron policia.
Nga strukturat e DVP Durrës vijojnë hetimet për pronarët e kësaj linje udhëtimi, pasi nuk i kanë lajmëruar në kohë pasagjerët e tyre, për anulimin e udhëtimit.

