Trageti Ankonës pësoi defekt, lundrimet nga porti i Durrësit mbeten të pezulluara pa afat

Kush kishte prerë biletën për të udhëtuar drejt Italisë me tragetet e linjës Durrës-Ankona me gjasë nuk do të niset as sot. Trageti që ka pësuar defekt në Itali ende nuk është zëvendësuar dhe udhëtimi mbetet i pezulluar për të dytën ditë. Kjo situatë ka irrituar udhëtarët, ndërsa policia ka vënë nën hetim pronarët e kompanive që nuk lajmëruan në kohë.

Lundrimet me traget nga Durrësi drejt Ankonës mbeten të bllokuara për të dytën ditë radhazi, duke krijuar kaos në port dhe pakënaqësi mes udhëtarëve.

Shkak është bërë një defekt i pësuar në brigjet italiane të tragetit të të linjave GNV dhe Adria Ferries.

Autoriteti Portual Durrës, njofton pasagjerët se situata mbetet pa zgjidhje dhe lundrimet do të anulohen deri në një njoftim.

Pezullimi i lundrimeve drejt Ankonës u anulua të mërkurën, çka ka irrituar udhëtarët që kishin prenotuar udhëtimin dhe kishin blerë bilatet për tu kthyer në vendet ku punojnë e jetojnë pas pushimeve.

Kur morën njoftimin se trageti ishte prishur, disa prej tyre protestuan brenda ambineteve të portit duke bllokuar lëvizjen.

Për këtë sjellje tre persona u vunë nën hetim nga Policia e Durrësit. As pronarët e linjës së trageteve nuk kanë shpëtuar pa përgjegjësi.

Policia e Durrësit, thotë se ka nisur një hetim ndaj tyre pasi nuk i kanë lajmëruar në kohë pasagjerët e tyre për anulimin e udhëtimit.

Por ndërsa udhëtarët drejt Brindizit duhet ende të presin, ata që kanë prerë biletën e linjës Durrës-Bari do të vijojnë normalisht udhëtimet sipas orareve të përcaktuara.

Fundi i gushtit, shënon fluks të lartë të udhëtarëve drejt Italisë të cilët kthehen në vendet e punës pas pushimeve në Shqipëri.

Por në vazhdimësi ata janë përballur me vonesa dhe kanë denoncuar kushtet e trageteve.