Akuzohet se vrau shokun për borxh droge, Selmanaj mohon pistoletën në oborr e veshjet e trupit

39-vjeçari, Bledar Selmanaj, i arrestuar për vrasjen e 25-vjeçarit Xhuljano Bullari në Babicë të Vlorës nuk e ka pranuar krimin, as përballë pistoletës së gjetur në oborrin e banesës, dhe veshjeve që dyshohet se mbante trup ditën e ngjarjes. Në polici ai ka pranuar vetëm që njihte të riun nga Tirana që dyshohet që e vrau për pazaret e drogës.

Bledar Selmanaj, 39-vjeçari i vënë në pranga për vrasjen e 25-vjeçarit Xhuljano Bullari në Babicë të Vlorës, mohon autorësinë e krimit.

Në dëshminë e parë në polici, ai ka pranuar vetëm njohjen me të riun banues nga Tirana që u ekzekutua me plumb në kokë.

Arma e krimit e gjetur e groposur në oborrin e banesës së 39-vjeçarit në Vlorë dhe rrobat që mbante veshur, janë provat e forta të policisë.

Por edhe përballë tyre, Bledar Selmanaj nuk është dorëzuar.

39-vjeçari citohet të ketë thënë se arma dhe veshjet nuk janë të tij dhe se ai është përfshirë gabimisht në këtë ngjarje.

Por grupi hetimor nga ana tjetër është i bindur se Bledar Selmanaj është ekzekutori i 25 vjeçarit.

Burime nga grupi hetimor thonë se ekspertiza ka provuar se pistoleta e gjetur në oborrin e banesës së 39-vjeçarit në Vlorë është ajo me të cilin u qëllua Xhuljano Bullari.

Pamjet e kamerave të sigurisë konfirmojnë se ata udhëtuan bashkë në makinë nga Tirana drejt Vlorës, ku 39-vjeçari shfaqet me veshjet e sekuestruara nga policia si provë.

Dyshimet e janë se Xhuljano Bullari u vra nga Bledar Selmanaj për konflikte të lidhura me prishjen e pazareve të drogës.