Kosova dhe Maqedonia e V. rrezikojnë të humbin statusin e vendeve të sigurta

Sllovenia si vend kryesues i Bashkimit Europian ka përpiluar një listë të re të vendeve me të cilin shtetet e Unionit do të rikthejnë masat ekstreme të ndalimit të udhëtimeve, mes tyre edhe Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut rrezikojnë të hiqen nga lista e të ashtuquajturave shtete të sigurta, sa i përket pandemisë së koronavirusit.

Sllovenia si vend kryesues i Bashkimit Europian ka përpiluar një listë të re të vendeve në të cilat duhet të kthehen masat kufizuese sa i takon lëvizjes në Bashkimin Europian për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike.

Në ditët në vijim shtetet anëtare të BE-së do të votojnë për miratimin e listës së përditësuar.

Nga të dhënat paraprake mësohet se përveç Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, BE ka përfshirë në listën e vendeve të pasigurta edhe Malin e Zi, Izraelin, Shtetet e Bashkuara dhe Libanin.

Në parim, vendet që nuk janë në listën e “vendeve të sigurta” nuk do t’u lejohet hyrja në BE, përveç në rastet kur udhëtimet janë të domosdoshme.

Po ashtu kufizimet nuk vlejnë për ata që jetojnë në territorin e ndonjë vendi të Bashkimit Evropian ose për udhëtimet zyrtare.