"Shqipëria lë shumë për të dëshiruar", Nurellari: Rama përpiqet t'i bëjë qejfin vetes
Zoti Rama e mbylli sot mandatin e dytë qeverisës dhe bëri bilancin e sukseseve dhe dështimeve. Në fjalën e tij ai u shpreh se u përballën me pandeminë dhe tërmetin dhe meriton një notë pozitive.
Analisti Ardi Nurellari i ftuar në studion e RTV Ora lidhur me këtë qëndrim dhe notën pozitive që zoti Rama i vë vetes mendon ndryshe. Për të zoti Rama përpiqet që t'i bëjë qejfin vetes, pasi Shqipëria lë shumë për të dëshiruar në çdo aspekt.
Nurellari: "Ai përpiqet t'i bëjë qejfin veten, por për mua Shqipëria ka lënë shumë për të dëshiruar në çdo hap, në çdo aspekt të menaxhimit të pandemisë. Shqipëria qëndron në krye të listës së vendeve përsa i përket rasteve fatale të pandemisë, ka qenë e vonuar në të gjitha aspektet. Edhe pse popullsia është e re, sistemi shëndetësor dështak i Shqipërisë ka bërë që niveli i vdekjeve të jetë goxha më i lartë kur krahasohet me vende të tjera të ngjashme me vendin tonë."
Premtimit e kryeministrit Rama në mandatin e tretë si ndërtimi i Teatrit Kombëtar, ndërtimi i 5 porteve, rritja e pagave për mjekët dhe mësuesit, ulja e taksa Nurellari i sheh pothuejse të parealizueshme. Ai shprehet se shanset janë shumë të vogla për t'i realizuar pasi buxheti i shtetit nuk e lejon këtë gjë.
Nurellari: "Shanset për t'i realizuar premtimet janë të vogla, nuk shikoj se çfarë ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore në këtë mandat për të lënë të kuptohet që ka seriozisht ndërmend ose mundësi për t'i zbatuar këto gjëra. Arsyeja pse them këtë është se nga njëra anë keqqeverisja ose dështimi në fushën e ekonomisë, paaftësia për të tërhequr investime të huaja, ka bërë që kjo qeveri ta ketë buxhetin goxha të kufizua. Nuk e di se ku do ta gjejë buxhetin me borxhin më të lartë në rajon. Unë nuk e di se ku ta pres që befas të ndodhë një magji dhe buxheti shtetëror të shëndoshet dhe të kemi investime të tilla publike."
Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
