Vaksinimi i detyrueshëm për studentët, Rama: Nuk ka nuk dua!
Kryeministri, Edi Rama, ka deklaruar se vaksinimi mund të bëhet i detyrueshëm për studentët.
"Mund të vijë momenti, që vaksinimi për studentët për të hyrë në auditore të jetë i detyrueshëm. Të nxjerrësh (certifikatën) në telefon ose në dokument, duke u regjistruar sipas listave të vaksinuarve.
Është e pamundur që ne të lejojmë që të kemi një përshkallëzim të panevojshëm ose të shmangshëm të numrave dhe pastaj të shkojmë në masa, që kurrë nuk duhet të kthehen mbrapsht në Shqipëri.
Edhe për pedagogët duhet bërë e njëjta gjë. Nuk ka nuk dua. Pedagogët që hyn në auditor, studentët që hynë në auditor, ku ka dhe të tjerë kanë përgjegjësi të mbrojnë të tjerët. Shteti ka përgjegjësi të garantojë që unë që jam i vaksinuar të mos kërcënohem nga dikush që nuk është i vaksinuar.
Vaksina nuk të heq 100% rrezikun e infektimit, por vaksina bën një gjë, kur infektohesh ta kalosh në mënyrë të moderuar, vetëm mos kërcënohesh në jetën tënde. Askush nuk ia ka borxh askujt të shkojë në spital se dikush vjen edhe thotë s'dua.
Nëse thua nuk dua, mund t mos e bësh por rri jashtë, nuk mund të futesh në auditor. Vaksina ka filluar intensivisht të bëhet e detyrueshme kudo dhe patjetër që mund të vijë momenti, që për disa kategori të bëhet e detyrueshme dhe këtu.
Kush ka ndërveprime sociale dhe kush ka punë apo aktivitet të atilla, që lidhen me njerëz të tjerë në distanca të afërta nuk mund të thotë dot, s'dua, ose të thotë që nuk do dhe të tërhiqet nga ai ndërveprim, për aq kohë sa është virusi vërdallë", thotë Rama.
Paralajmërimi erdhi nga kryeministri gjatë vizitës në rezidencën studentore numër 2 në Tiranë, një prej rezidencave të cilat janë përgatitur për të strehuar përkohësisht afganët që mund të evakuohen nga Afganistani.