"Hiq studentë e sill refugjatë afganë... Rama ndryshon kurs: Godinat mund dhe të mos përdoren

Godinat e Qytetit Studenti të cilat ishin parashikuar për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë mund të mos përdoren për ta. 

Videot dhe fotot e publikuara në rrjetet sociale ku dukeshin studentët që largoheshin nga godinat me çanta në krahë ngjalli mjaft indinjatë tek qytetarët të cilët e quajtën padrejtësi.

Duket se kryeministri ka reflektuar, dhe po ndryshon kurs, i ndihmuar edhe nga fakti që ardhja e afganëve po vonon. 

“Po shtyhet ardhja e tyre për shkak të logjistikës dhe fluturimeve, e spekullimeve të fluturimeve” tha Rama sot teksa vizitoi  Rezidencën Studentore Universitare nr. 2, një prej rezidencave të cilat janë përgatitur për të strehuar përkohësisht afganët që mund të evakuohen nga Afganistani.

“Mund të ndodhë të mos nevojitet nëse do të lirohen strukturat hoteliere që kemi bërë gati pas sezonit. Por në të gjitha rastet është me rëndësi të jemi të qartë që nuk bëhet fjalë për hiq studentë e sill refugjatë afganë por për të shfrytëzuar këtë dritare kohe përpara se të vijnë studentët” vijoi Rama.

Në një intervistë për CNN, Rama deklaroi se Shqipëria do strehonte 4 mije afganë.