Sistemi energjitik vijon me humbje, në tremujorin e dytë 29 % më shumë se vitin e kaluar

Sistemi energjetik shqiptar, pavarësisht deklaratave zyrtare të qeverisë, vijon të ketë humbje të konsiderueshme në rrjet.

Instituti i Statistikave në publikimin e tij më të fundit konkludon se në tremujorin e dytë të këtij viti ky tregues shënoi rritje me 29%.

Pjesa më e madhe e humbjeve janë klasifikuar si humbje në rrjetin e shpërndarjes, për shkaqe teknike dhe me një rritje prej 25.5%.

Ndërsa në ato joteknike janë regjistruar vlera më të ulëta, por sërish shqetësuese, pasi janë 22.9% më të larta se viti i kaluar, raporton Ora News.

Megjithatë energjia ka arritur të regjistrojë tregues pozitivë sa i takon prodhimit dhe eksportit nga janari në qershor.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët gjatë kësaj periudhe u rrit me 17.2%.

Bilanci i energjisë elektrike tregon për një kthim të normalitet të ekonomisë e lidhur kjo me konsumin ku peshën më të madhe në rritje e kanë marrë konsumatorët jo-familjarë, pra bizneset të cilat kanë konsumuar 34.8 % më shumë energji se në tremujorin e parë të 2020-s.

Këta të fundit në muajt e karantinës të vitit të shkuar në një pjesë të mirë ndalën aktivitetin ose e tkurrën atë në respektim të fashave orare te lëvizjes duke shënuar dhe rënie të konsumit.

Sipas INSTAT, pjesa më e madhe e energjisë është prodhuar nga Hidrocentralet publike me një rritje prej 2.7 herë, ndërkohë që Hidrocentralet private dhe koncensionare shënuan një rritje me 79.7 %./Ora News/