Bllokoi trafikun për një video në “Tik Tok”, procedohet penalisht 21-vjeçarja, gjobitet dhe me 500 mijë lekë
Drejtuesja e mjetit “Mercedes Benz” me ngjyrë të bardhë që ndaloi ditën e djeshme në mes të rrugës në Unazën e Re, shtetasja V. D., 21 vjeçe, për të bërë një video për rrjetin social, Facebook, është proceduar penalisht.
Policia Rrugore ka bërë me dije se 21-vjeçarja banuese në Tiranë, është gjobitur 50.000 lekë të rinj (500 mijë lekë të vjetra), për veprime të ndaluara në rrugë.
E reja ka rezultuar se nuk kishte leje drejtimi, ndërkohë që makina I është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
“Nisur nga publikimi në media sociale, i një videoje ku shfaqej një shtetase, e cila nga verifikimi rezultoi se më datë 22.08.2021, kishte ndaluar automjetin në karrexhatë, në rrugën “Teodor Keko” dhe së bashku me pasagjeret që udhëtonin me të, kryente veprime të ndaluara në rrugë, duke krijuar një gjendje të rrezikshme dhe bllokim të trafikut, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, pasi identifikuan zonën dhe të dhënat e automjetit, bënë të mundur konstatimin dhe shoqërimin e automjetit, si dhe procedimin penal të drejtueses, shtetases V. D., 21 vjeçe, banuese në Tiranë, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, pasi rezultoi e papajisur me leje drejtimi.
Gjithashtu, kjo shtetase u ndëshkua me masë administrative 50.000 lekë të rinj, për veprime të ndaluara në rrugë, ndërsa mjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë po punohet për identifikimin dhe procedimin e personit përgjegjës që i ka besuar mjetin shtetases së papajisur me leje drejtimi. “ njofton policia.
