Emri/ Arrestohet inspektori i policisë së komisariatit 6, merrte lekë për të mbyllur sytë para ndërtimeve pa leje
Inspektori Levzat Veselaj, 47 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policisë Kriminale pranë Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë, është arrestuar nga drejtoria rajonale e SHÇBA.
Në një njoftim bëhet e ditur se ai akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Korrupsionit Pasiv”
“Mbeshtetur në faktet dhe provat e administruara gjatë hetimeve paraprake të zhvilluara, punonjësi i Policisë, L.V., gjatë një periudhe kohore të vazhdueshme, ka kryer veprime aktive, në shpërdorim të funksionit të tij organik, duke kërkuar dhe marrë shuma monetare të paligjshme, në këmbim të premtimit për mosveprimin e strukturave policore për ndërprerjen e paligjshmërisë në fushën e ndërtimeve pa leje.”- thuhet në njoftim.
Ndërkohë vazhdon puna investigative dhe procedurale në lidhje me dokumentimin, sqarimin e pozitës së tij, si dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale në lidhje me veprimtarinë kriminale të kryer nga inspektori i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Kujtojmë se një javë më parë dega e Tiranës arrestoi efektivin e RENEA-s, Rael Luli, i akuzuar si kreu i një grupi të shpërndarjes së drogës në disa zona në kryeqytet.

