Hija e lojërave të fatit duket se qëndron pas vrasjes së Bledar Muçës në Lushnje

Ekzekutimi me automatik i Bledar Muçës në ambjentet e lokalit të tij në Lushnjë, mbrëmjen e 23 gushtit, duket se e ka bazën e konfliktit pikërisht mes rradhëve të një grupi kriminal që vepron në këtë qytet.

Hija e përplasjeve për lojërat e fatit, kryesisht kompjuterat, besohet se qëndron pas kësaj vrasje të mirëorganizuar që shkaktoi një të vrarë e 5 të plagosur, raporton Ora News.

Bizneset në hije

Informacionet jo zyrtare që dalin nga policia e Lushnjës, tregojnë se Bledar Muça, veç biznesit të ligjshëm si Bar-Kafe “Pedonale”, në Lushnjë dyshohet se administronte në hije dhe dy biznese të tjera.

Sipas burimeve të policisë, lokali ku ka ndodhur ngjarja kriminale, është në pronësi të bashkëshortes së viktimes, shtetases Suada Velo.

Në emër të kësaj të fundit janë dy biznese të tjera si Marin Company e themeluar në vitin 2018, që ka si objekt veprimtarinë në fushën e transferimit të parave. Dhe biznesi tjetër është një kompani kontabiliteti, e zotëruar plotësisht nga Suada Velo.

Sipas burimeve të policisë së Lushnjës kjo e fundit është mbesa e Roland Shytit, anëtarit të grupit kriminal “Hakmarja për drejtësi”, informon Ora News. 

Madje disa prej anëtarëve të këtij grupi frekuentonin në mënyrë të vazhdueshme lokalin me emër “Pedonalja”, ku qëndronte dhe Bledar Muça.

Lojërat e fatit

34 vjeçari në Lushnjë nuk ishte përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal të dukshëm, por burime policore bëjnë me dije se viktima dyshohej se merrej me aktivitetin e lojërave të fatit.

Besohet se ai administronte dhjetëra kompjutera në Lushnjë dhe në disa fshatra, kompjutera të cilat i përkisnin një personi tjetër, anëtar ky i “Hakmarjes për drejtësi”.

Me sa duket përplasja për ndarjen e fitimit, ka sjellë marjen e kompjuterave dhe lënien në përdorim të tyre, tek një person tjetër në Lushnjë me nofkën “Tolja”, që me sa duket i përket të njëjtit grupimi kriminal.

Por marrja e biznesit dhe kalimi në administrim tek një person tjetër, me sa duket nuk është pritur mirë nga Bledar Muça, që sipas policisë rreth dy janë më parë janë konfliktuar me personat që ai i njihte në këtë aktivitet.

Tashmë policia dhe prokuroria e Lushnjës janë duke hetuar këtë pistë konflikti, ndërsa hetimi është shtrirë edhe tek aktiviteti i shitjes së heroinës dhe kokainës në këtë qytet, raporton Ora News. 

Atentati 

Deri në këtë fazë të hetimit policia ka sekuestruar pamjet filmike të disa kamerave të bizneseve, të cilat kanë fiksuar mjetin, tip Golf 5.

Autori i krimit ka zbritur nga makina. Në kokë mbante vetëm një kapele dhe i është afruar tavolinës ku qëndronte Bledar Muça, së bashku me kunatin e tij, Judin Velo. Nga një distancë e afërt diku tek 3 apo 4 metra ai ka qëlluar me automatik, duke lënë të vdekur Bledar Muçën dhe plagosur kunatin e tij, Velo.

Për shkak se zona ishte e populluar dhe me kalimtarë të tjerë, si pasojë e shëtitjes së mbrëmjes, 23 gusht 2021 plumbat e nxjerrë nga kallashnikovi kanë plagosur dhe Ervis Tafën, Sara Liçin, 24 vjeç, Eksara Saulin 26 vjeç dhe Majlinda Gjylin 66 vjeçe, të cilët fatmirësish ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Makina e autorëve

Automjeti tip “Golf 5” rezulton i vjedhur njësoj si dhe targat e tij italiane, që ishin denoncuara si të vjedhura në qytetin e Vlorës. Mjeti dhe arma e krimit tip kallashnikov është gjendur tërësishte djegur poshtë urës së Shkumbinit në Rrogozhinë, raporton Ora News.