Xhuljanon e vrau shoku i tij? Kamerat e sigurisë i filmuan bashkë, arma zbuloi gjithçka

Para policisë, Bledar Selmanaj nuk ka pranuar që është ai autori i vrasjes së Xhuljano Bullarit më 20 gusht 2021.

Selmanaj i cili ishte shok i viktimës, ka pranuar se e ka çuar 25 vjeçarin në Babicë të Vlorës, por jo se është ai autori i ekzekutimit.

Ka qenë arma e gjetur në oborrin e shtëpisë që ka zbuluar gjithçka, raporton gazetari i Ora News, Elton Qyno.

Gjithashtu kamerat e sigurisë të një karburanti dhe të një lokali i kanë filmuar të dy bashkë teksa po udhëtonin me makinën Fiat ku u gjet i vrarë Xhuljano.

Dyshohet se vrasja ka lidhje me tregun e hashashit.

Arrestimi

Policia publikon pamjet e operacionit të arrestimit të Bledar Selmanajt, 39 vjeçarit nga Vlora i cili sipas policisë është autori i vrasjes së Xhuljano Bullarit në Babicë të Vlorës.

Arrestimi i tij është kryer pasditen e 24 gushtit në zonën e Bllokut në Tiranë, ndërsa në mbrëmje është dërguar drejt ambienteve të policisë së Vlorës

Gazetari i Ora News, Edi Ruçi informon se Selmanaj kishte dalë nga burgu më 5 gusht.