Sherr në Vlorë/ Plagose me thikë 29 vjeçari dhe dëmtohet një tjetër, në pranga dy autorët e dyshuar
Ervin Mënaj dhe shtetasi i mitur S. M., janë arrestuar pasi kanë tentuar të vrasin me thikë, 29-vjeçarin e identifikuar si R. M. Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti çastit, ku si pasojë ka mbetur i dëmtuar edhe shtetasi K. K., 25 vjeç.
“Shtetasi E. M., 37 vjeç dhe shtetasi i mitur S. M., 17 vjeç, të dy banues në Fier.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, dyshohen se në një parking në lagjen “1 Maji”, Vlorë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me mjet të mprehtë, shtetasin R. M., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën dhe kanë dëmtuar fizikisht shtetasin K. K.”- njofton policia.
Gjatë kontrollit fizik shtetasit të mitur S. M., iu gjet dhe sekuestrua një përforcues grushti, ndërsa shtetasit E. M. iu sekuestrua automjeti i markës “Mistubishi”, të cilin e drejtonte në gjëndje të dehur në momentin e prangosjes nga shërbimet e Policisë.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, në ngarkim të shtetasit E. M., për veprat penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe në ngarkim të shtetasit S. M., për veprat penale, “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

