Fluksi i madh drejt Korçës dhe Beratit/ Policia Rrugore shton masat për të përballuar lëvizjen, pezullohen 44patenta
Policia Rrugore ka marrë masa shtesë për shkak të fluksit të madh në akset kryesore kryesisht drejt Korçës ku zhvillohet dhe nata e fundit e Festës së Birrës si dhe pelegrinazhi në malin e Tomorrit në Berat.
Nisur nga fluksi shumë i madh i automjeteve në të gjitha akset rrugore, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash shtesë, duke rritur akoma më shumë prezencën e shërbimeve të policisë në akset kryesore nacionale, zonat urbane dhe në akset kryesore rurale, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Policia bën me dije se vetëm në 24 orët e fundit janë pezulluar 44 leje drejtimi për shpejtësi nga 128 km/h në rrugën Interurbane Tiranë -Tuneli i Krrabës e deri në 202 km/h në Bypass-in e Fierit.
“Shtetasi E.L, nga Tirana qarkullonte me mjetin e tij nga Fieri në Vlorë me shpejtësi 202 km/h i konstatuar nga radari i Policisë Rrugore Fier në Bypass-in e Fierit. Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhërit të punonjësve të policisë për të ndaluar dhe ka vijuar me shpejtësi në drejtim të Vlorës ku dhe është ndaluar në hyrje të Vlorës nga shërbimet e Policisë të DVP Vlorë. Drejtuesi i mjetit është ndëshkuar me masë administrative 24.000 lekë të rinj dhe me pezullim të lejes së drejtimit për 12 muaj si dhe zbritje 8 pikë nga leja e drejtimit.”- njofton policia.
Gjithashtu janë pezulluar dhe 33 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje te dehur. Janë arrestuar 13 drejtues mjetesh nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Po gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me gjobë 1553 drejtues mjetesh për shkelje që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.
Në të gjitha akset nacionale nga Rruga e Kombit deri në Sarandë e nga Korça në Berat, si dhe në qendrat kryesore urbane ka patrulla të Policisë Rrugore me radarë, alkooltestues, dronë, kamera e aparatë fotografik, si dhe patrulla të përgjithshme dhe të forcës së posaçme Shqiponja e FNSH, me qëllimin e vetëm parandalimin e aksidenteve rrugore.
“Drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në rrugët dytësore apo në akset rrugore rurale të tregojnë kujdes duke respektuar në maksimum rregullat e qarkullimit rrugor, pasi në masat shtesë që ka marë Policia e Shtetit në të gjitha këto akse rurale dhe rrugë dytësore, kryesore, do ketë patrulla të lëvizshme me mjete të paloguara të pajisura me kamera, aparatë fotografikë dhe dronë.”- njofton policia.

