Sezon i suksesshëm për Lezhën, zonat turistike plot, 60 % e pushuesve shqiptarë të Kosovës

Ky sezon turistik vlerësohet i suksesshëm për Lezhë, ku në zonat turistike në gjysmën e dytë të gushtit nuk ka më vende të lira akomoduese. Kryebashkiaku, Pjerin Ndreu, duke iu referuar të dhënave, thotë se 60 % e pushuesve janë shqiptarë të Kosovës.

Plazhet e Lezhës mbeten të frekuentuara masivisht edhe në gjysmën e dytë të gushtit, ndërsa shqiptarët e Kosovës mbeten pushues besnikë.

Kryebashkiaku, Pjerin Ndreu, thotë se ky sezon po i tejkalon pritshmëritë, pasi numri i pushuesve i ka tejkaluar shifrat e vitit 2019-të, saqë nuk ka më kapacitete akomoduese.

"Jemi në një situatë ku nuk ka më fuqi akomoduese, muaji gusht sidomos ka qenë shumë i ngarkuar dhe vazhon të jetë. Kjo na gëzon se qëllimi ky është, pjesëmarrja sa më e lartë e njerëzve dhe të ndjerit mirë e tyre."

Më shumë se gjysma e pushuesve në plazhet e Lezhës janë shqiptarë të Kosovës.

"Mbi 60%, pastaj janë emigrantët që kanë ardhur shumë, të huaj të tjerë, ka dhe italianë, polakë, maqedonas, nga trevat e ndryshme të Shqipërisë. Plazhi i Tales është i populluar kryesisht me banorë të Mirditës."

Shërbimet e përmirësuara dhe çmimet konkurruese, janë pikat e forta të ofertës turistike të Lezhës.

"Kemi vendosur orare bashkë me operatorët turistikë për nxjerrjen e mbeturinave dhe e them me krenari se plazhi i Shëngjinit është plazhi më i pastër në Shqipëri sot për sot, kjo e thënë dhe nga ata që kanë ardhur."

Prenotimet në bregdetin e Lezhës mbeten të larta edhe përgjatë muajit shtator.