Drejt Greqisë me rreth 25 mijë euro të padeklaruara, procedohet 35-vjeçari nga Pogradeci

Sekuestrohen 24.980 euro të padeklaruara në pikën kufitare të Kapshticës.Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me autoritetet doganore  si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar edhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm automjetin tip "Opel" me drejtues shtetasin F. R., 35 vjeç, banues në Pogradec.

Gjatë kontrollit të ushtruar, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 24.980 euro, sasi të cilën ky shtetas nuk e kishte deklaruar.

Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët filluan procedimin penal ndaj 35-vjeçarit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.