Operacioni tek Ish parku i Autobusëve: Arrestohet efektivi i RENEA-s, grupit i kapin 1 kg kokainë e kanabis
SHÇBA jep detaje mbi operacionin e ndërmarrë më 20 gusht që çoi në shoqërimin në kushtet e flagrancës të 5 personave mes tyre dhe të 1 punonjësi policie.
Bëhet fjalë për një hetim në një periudhë kohore disa mujore me metoda speciale hetimi.
Arrestimi
Ndodhi mbrëmjen e 20 gushtit. Rreth orës 19:30 në zonën e quajtur “Ish-Parku i Autobusave”, në territorin e Njësisë Bashkiake nr. 7 të qytetit të Tiranës u arrestuan në flagrancë
- Real Luli 27 vjeç, me detyrë punonjës policie në repartin special “RENEA”;
- Jurgen Vaid Luli, 30 vjeç;
- Gevi Spahia, 27 vjeç, i dënuar më parë për tentativë vrasje.
Gjithashtu po ndiqen në gjendje të lirë dy shtetasit:
- Gertjan Harapi, 26 vjeç;
- Ergi Sala, 26 vjeç, arrestuar më parë për veprën penale ‘’Prodhim dhe shitje e narkotikeve’’.
"Ndalimi dhe arrestimi i tyre vjen si rezultat i dokumentimit me prova ligjore të veprimtarisë së tyre të kundraligjshme që ata kryenin në bashkëpunim me njëri-tjetrin"

Sekuestrimi
Nga kontrolli i realizuar në ambiente dhe banesat që dispononin u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale sende dhe objekte të kundraligjshme si më poshtë:
- 434 gr kokainë;
- 576 gr kanabis, e ambalazhuar;
- 100.6 gr lëndë narkotike e llojit “Ekstazy” e ambalazhuar;
- 18.2 gr fara të dyshuara për kultivimin e bimëve narkotike;
- 7 peshore dhe materiale që shërbenin për ndarjen dhe paketimin e lëndës narkotike;
- Vlera monetare 11,890 euro;
- 3 armë zjarri të llojit pistoletë të markave BRUNI e GLOCK;
- Një krehër metalik brenda së cilës ndodheshin 20 fishekë Mod 56;
- 219 fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme;
- 1 automjet tip Benz;
- 7 aparate celularë;
- Një pajisje me mbishkrimin “GRANADE FLASH-BANG BRZ-M93 P1 TM-1403”, së bashku me mekanizmin e saj metalik tip mashe;
- 2 motoçikleta (pa targa).
Vazhdon puna investigative dhe procedurale në lidhje me dokumentimin dhe implikimin e mundshëm edhe për subjekte të tjera të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale në lidhje me veprimtarinë kriminale të kryer nga shtetasit e ndaluar dhe arrestuar i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.