Kundërshtuan forcat "Shqiponja" gjatë festës në pedonale, pranga 3 të rinjve në Gramsh
Tre të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Gramshit për kundërshtim të forcave të rendit. Të arrestuarit janë shtetasit Zmain Menko 25 vjeç, Nertil Zani 27 vjeç, dhe Kristi Dragoti 23 vjeç, të tre banues në Gramsh.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në pedonalen e qytetit të Gramshit, gjatë zhvillimit të një aktiviteti festiv kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë të Forcës së Posaçme "Shqiponja", gjatë ushtrimin të detyrës.
Ndërkohë policia e Elbasanit ka ndaluar një 30 vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për veprat penale "Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik", " Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe e municionit" dhe "Shkatërimi i pronës".
I arrestuari është Edison Kaçaniku, 30 vjeç, banues në Elbasan, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës Parë Elbasan, ka vendosur masën e sigurisë "Arrest me burg".
Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur me 16 korrik të 2020. Forca e Posaçme "Shqiponja", e DVP Elbasan, në lagjen "28 Nëntori", Elbasan, i kanë bërë shenjë ndalimi mjetit tip "Fiat", me drejtues shtetasin Edison Kaçaniku dhe pasagjer shtetasin J. Xh.( i cili është arrestuar më parë).
Pas shenjës për ndalim, këta shtetas nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por janë larguar me shpejtësi dhe në ecje e sipër kanë hedhur nga dritarja e mjetit të tyre një send të fortë duke e dëmtuar mjetin e Policisë.
Në tentativë për t’u larguar kanë hedhur në rrugë dhe një armë zjarri pistoletë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

