Këshilli i Qytetit Studenti i merr kompetencat Veliajt, punonjës mbi organikën, dhe tendera me mik
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë publik shkeljet në punësime, tendera dhe në organizimin e rezidencës studentore numër dy në Tiranë.
Sipas raportit të bërë zyrtar, shpesh nuk ka protokoll për mbledhjen e Këshillit Mbikqyrës si dhe nuk ka të dhëna nëse anëtarët kanë marrë pjesë në to.
Madje rezulton ky këshill ka miratuar vendime edhe pse nuk ka pasur diskutime, apo nuk ka numër protokolli për to.
Sipas auditimit rezulton se ky këshill ka dalë në vendimmarrje edhe mbi të zgjedhurin në pushtetin vendor Erion Veliajn, pasi në 11 raste janë marrë vendime tej kompetencave, pasi për to duhet të shprehej Kryetari i Bashkisë, apo Këshilli Bashkiak.
Por kjo rezidencë që duhet tu shërbejë të rinjve rezulton të ketë punësuar numër të panevojshëm dhe më të lartë se sa e ka në strukturë.
“Aktualisht është e përbërë prej 180 punonjësish. Në strukturën e shoqërisë rezulton se ka punësime të pa nevojshme dhe që dublojnë njëra tjetrën siç është pozicioni i recepsionistit me specialisten e zyrës së informacionit”, thuhet në raport
Duke e konsideruar si një problem të vjetër auditi shton se nuk ka procedura të miratuara për kriteret e rekrutimit të punonjësve me përcaktime sipas formimit profesional dhe eksperiencës në punë.
Edhe më herët opozita ka akuzuar se bashkia e Tiranës dhe institucionet e varësisë shërbejnë për punësimin e militantëve të partisë në pushtet.
Shkelje janë konstatuar edhe në tenderat me vlera të vogla. Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon se në të gjitha rastet nuk është verifikuar, dokumentuar dhe argumentuar përzgjedhja e operatorëve ekonomikë të cilëve u është dërguar ftesa për ofertë si dhe nuk janë të protokolluara vendimet e komisionit të prokurimeve.
Shkeljet shkojnë deri në shpenzimin duke mos e justifikuar nevojën e kryerjes së tij.
Në 2 vendime që i përkasin vitit 2018 nuk ka urdhër titullari për krijimin e komisionit për marrjen në dorëzim të shërbimeve dhe në një rast operatori ekonomik i ofertuar nuk ka në fushën e veprimtarisë së tij, objektin e prokurimit
