Kanosi me armë zjarri bashkëshorten dhe familjarët, arrestohet 41-vjeçari në Krujë
Një 41-vjeçar është arrestuar nga policia e Krujës pasi kanosi me armë zjarri bashkëshorten dhe familjarët e saj duke rrezikuar jetën e tyre.
"Pas marrjes së njoftimit se fshatin Bruz Zall, Krujë, një shtetas po kërcënonte me armë zjarri bashkëshorten e tij dhe familjarët e saj, menjëherë kanë mbërritur në adresën e dhënë dhe falë ndërhyrjes profesionale, kanë bërë të mundur neutralizimin dhe arrestimin në flagrancë, të shtetasit Arben Hoxha, 41 vjeç, banues në fshatin Rranze, Krujë," informon policia.
Arrestimi i 41-vjeçarit u bë pasi për motive të dobëta ka shkuar në banesën e vjehrrit të tij në fshatin Bruz Zall, Krujë, ku ndodhej dhe bashkëshortja e shtetasit Arben Hoxha, (e cila ishte pajisur me urdhër-mbrojtje).
Shtetasi Arben Hoxha, në gjendje të dehur i ka kërcënuar me armë zjarri pistoletë, duke qëlluar në ajër dhe drejtime të ndryshme, duke rrezikuar jetën e tyre.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë, 1 krehër dhe 4 fishekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprat penale "Kanosje serioze për jetën", "Armëmbajtje pa leje" dhe "Dhunë në familje".
