Zhvillimet kaotike në aeroportin e Kabulit mbajnë pezull nisjen e afganëve për në Shqipëri
Zhvillimet kaotike në aeroportin e Kabulit duket se po mbajnë pezull nisjen për në Shqipëri e të paktën 350 qytetarëve afganë.
Për dy ditë me radhë fluturimi është shtyrë në kohë të ndryshme. Parashikimi i fundit ishte se avioni do të nisej sot rreth orës 13 nga Kabuli, për të mbërritur në Shqipëri pasdite, por sërish ka qenë e pamundur, raporton VOA.
Ndërkohë autoritetet në Shqipëri kanë vijuar me përgatitjet në pritje të mbërritjes së qytetarëve afganë që po lënë vendin e tyre nga frika e kërcënimeve të talebanëve.
Në pjesën ushtarake të aeroportit në Rinas janë ngritur tendat, ku qytetarëve afganë do t’u ofrohen shërbimet e para.
Në një takim që pati sot me drejtuesë të disa strukturave të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit e të Policisë Kufitare, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka është shprehur se situata po ndiqet minutë pas minuti në bashkëpunim me aleatët dhe se janë marrë të gjitha masat, kurdo që të mbërrijë avioni i pare. Ministrja Xhaçka është caktuar koordinatore për operacionin humanitar në ndihmë të shtetasve afganë.
Ajo inspektoi sot qendrën pritëse dhe strukturat akomoduese, të ngritura posaçërisht pranë aeroportit, e ku qytetarëve afganë do t'u jepet ndihma e parë shëndetësore, asistencë psikologjike/sociale dhe shërbimi bazik për ushqim apo nevoja të tjera të mundshme. Qendra, sipas njoftimit të ministrisë, është e pajisur me çadra mjekësore e të ndihmës së parë, dhe ka një kapacitet prej 400 personash. Strukturat në aeroport do të shërbejnë si ndalesa e parë pas mbërritjes në Shqipëri.
Më pas, është parashikuar që me përfundimin e modaliteteve ligjore, qytetarët afganë, do të shoqërohen në strukturat pritëse në Tiranë apo Durrës, në varësi të numrit të personave që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për një gazetë spanjolle ka deklaruar sot se brenda javës pritet të vijnë 1 mijë qytetarë, aktiviste, gra gazetare po persona që kanë punuar për strukturat amerikane në Afganistan.
