Afganët në Shqipëri, Demiraj: S'ka vend për shqetësim por duhen monitoruar, më i përshtatshëm strehimi në kavalishencë
Kolonel Dritan Demiraj vlerëson se Shqipëria i ka të gjithë kapacitetet institucionale, operacionale dhe profesionale për menaxhimin e emergjencës humanitare me afganët.
Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, ai nënvizon se ata njerëz janë bashkëpunëtorë të Perëndimit dhe kanë rrezikuar jetën sëbashku me misionet ushtarake në Afganistan.
Demiraj: Kam qenë i pari që kam thënë se është një vendim i duhur pasi ata njerëz kanë rrezikuar jetën me ne, na kanë shërbyer, kanë qenë partnerë të besuar tanët, unë e kam mbështetur dhe vazhdoj ta mbështes ardhjen e tyre. Kam qenë komandanti i parë drejtues i disa misioneve në misione luftarake dhe duke jetuar në shtëpitë e tyre, fshatrat, qytete dhe komisariatet e tyre dhe duke e njohur natyrën e tyre kam bërë disa propozime që kanë ardhur edhe si pasojë e disa ngjarjeve dhe incidenteve që kanë ndodhur në Europë, në Austri, Gjermani, Francë dhe Suedi.
Por Demiraj nuk është pro strehimit të tyre në Qytetin Studenti. Duke njohur sistemin në të cilin kanë jetuar dhe natyrën e tyre, koloneli gjykon më të përshtatshme strehimin e tyre në kavalishencën e ushtrisë në Durrës.
Demiraj: Kryeministri bashkë me strukturat e tjera do ishte mirë ta rishikonte vendimin për te Qyteti Studenti. Ata janë njerëz që vijnë nga një sistem krejt tjetër, do të ishte mirë të vendoseshin në kavalishencën e ushtrisë e cila është e rrethuar, ka dhe godina, mund të monitorohen me sukses. Por një gjë është e sigurt, strukturat e sigurisë së Shqipërisë, njësitë e Antiterrorit, SHISH, forcat speciale të ushtrisë janë institucione tashmë të certifikuara të cilët jo vetëm janë të afta për të monitoruar dhe siguruar rendin publik por janë njësi që janë vlerësuar nga ndërkombëtarët dhe cilësia e tyre është e padiskutueshme.
Demiraj nënvizon se ardhja e tyre është e mirëpritur dhe nuk ka asnjë vend për shqetësim por shton se monitorimi i tyre nga ana e strukturave të sigurisë do të ishte shumë deçizive.
Demiraj: Kapacitetet e monitorimit nga njësia e Antiterrorit, SHISH,në rast se duhet dhe nga njësia e reparteve të operacioneve speciale është e jashtëzakonshme, ka eksperiencë të lartë në fushën e terrorizmit. Janë struktura që janë organizuar dhe strukturuar nga amerikanët por drejtohen dhe menaxhohen nga njerëz të përgjegjshëm dhe profesionistë dhe rezultatet kanë qenë fantastikë.