Nis epoka post-Messi. Barcelona fiton të parën ndaj Sociedad, Manaj në stol me katalanasit

Ndeshja e parë pas 18 sezonesh pa Lionel Messin. Nuk është e lehtë për Barcelonën të lërë pas një "jetë" me argjentinasin por është e detyruar të ecë përpara dhe e bën mjaft mirë në ndeshjen e parë në La Liga.

Katalanasit të cilët do të kenë Rey Manajn në ekip këtë sezon, fituan ndeshjen e parë 4-2 ndaj Sociedad në "Camp Nou". Një ndeshje që në dukje u nis dhe u duk e lehtë por u ndërlikua në vijim.

Menjëherë Gerard Pique kaloi në avantazh Barçën në 19' teksa Braithwaite dyfishoi në fund të pjesës së parë.

Në të dytën, sërish danezi Braithwaite shënoi golin e dytë personal dhe këtu katalanasit e lëshuan ndeshjen duke i dhënë mundësinë Sociedadit të shënonte dy herë.

Barça nuk u përfshi nga paniku pasi në shtesë mendoi Sergi Roberto me golin e katërt për të mbyllur llogaritë në 4-2.

Një fitore shumë e rëndësishme që hap një epokë të re pa Messin te Barcelona por ndërkohë i jep një shans të artë Rey Manajt të luajë këtë vit në La Liga teksa sot qëndroi në stol.