Bundesliga, Dortmund dhe Haaland “shkërmoqin” Frankfurtin 5-2 në debutim

Borussia e Dortmundit e nisi me një fitore bindëse dhe spektakolare sezonin në Bundesliga teksa mposhti Eintrachtin e Frankfurtit 5-2 dhe sigurisht që Erling Haaland tregoi menjëherë forcën e tij.

Nën drejtimin e një trajneri të ri si Marco Rose dhe në “Signal Iduna Park” përpara tifozëve të tyre, verdhezinjtë dhanë spektakël e sigurisht të udhëhequr nga një “bishë” si Haaland dominuan dhe fituan me meritë.

Ishte pikërisht Haaland që dha tre asiste në golat e shënuar nga Reus në 23’, Hazard 32’ e Reyna në 58’ teksa shënoi edhe dy gola të tjerë në minutën e 34’ dhe të 71’.

Një fitore dhe start i jashtëzakonshëm për bomberin norvegjez i cili duket se edhe këtë vit do të duelojë kokë më kokë me Lewandowskin për Këpucën e Artë e pse jo edhe për titull.

Ndërkohë që në ndeshjet e tjera, Bayer Leverkusen e nisi me një barazim 1-1 në fushën e Union Berlin ndërsa Wolfsburgu i Van Bommel mundi me vështirësi 1-0 Bochumin. Stuttgart mposhti thellë 5-1 Greuther dhe Hoffenheim që dominoi 4-0 në transfertë Augsburgun.