Starton Bundesliga. Bayern Munchen me Nagelsmann në stol e nis me një barazim
Bayern Munchen nisi zyrtarisht mbrojtjen e titullit në Bundesliga duke ngritur siparin e kampionatit gjerman.
E angazhuar në transfertë, Borussia M'Gladbach-Bayern Munchen, ishte sfida hapëse e kampionatit dhe spektakli nuk mungoi ndërsa sfida u mbyll në barazim 1-1.
Me stadiumin e mbushur si asnjëherë më parë, Bayerni nuk shkoi më shumë se një barazim që në fakt mund të kishte qenë edhe fitore edhe humbje pasi ndeshja ishte shumë e hapur.
Alasane Plea kaloi menjëherë në avantazh vendasit në 10' ndërsa Bayerni u përgjigj në 42' me të përhershmin Lewandowski i cili për të shtatin vit radhazi shënon në debutim, një rekord më vete.
Pjesa e dytë ishte shumë e hapur dhe rastet e pastra nuk munguan, por Sommer në njërin krah dhe Neuer në tjetrin, ishin fantastikë dhe nuk lejuan gola të tjerë.
Me një barazim nis kështu aventura e Bayern Munchen me trajner të ri si Nagelsmann i cili nuk i ka punët edhe aq mirë duke parë dhe ndeshjet përgatitore, ku asnjë nuk arriti ta fitojë.
