Rëndohet gjendja shëndetësore e grevistëve për ujin e Sinecit, dërgohet në spital njëri prej tyre

Këmbët nuk e mbanin, me trupin e drobitur nga etja e uria. Deri në ambulancën e urgjencës e shoqëruan shokët grevistë të fshatit Lumas, të cilët prej 8 ditësh protestojnë kundër ndërtimit të ujësjellësit të Sinecit

Mesditën e së martës, 55- vjeçari Dashnor Subashi u dërgua në Spitalin e Beratit për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore.

"Tensioni i kishte shkuar 9 me 4.5 dhe kishte djersitje të tmerrshme, debulesë, nuk ngrihej dot më," tha një nga grevistët.

Veç tij, edhe gjendja e 4 grevistëve të tjerë që vijojnë të qëndrojnë në ndërtesën e ish-komunës, vjen duke u rënduar.

"Gjendja shëndetësore e grupit tonë është në limitet e fundit, jemi shumë të dërrmuar nga kjo grevë. Po bëjmë 8 ditë sot," tha një tjetër.

Grevistët e Lumasit nuk heqin dorë nga kërkesat. Më kryesorja mbetet anulimi i ndërtimit të ujësjellësit të Sinecit.

"Ne nuk heqim dorë nga qëndrimet që kemi mbajtur deri tani. Zona e lirë duhet të mbetet zonë e lirë," shtoi grevisti.

Pas Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, edhe Inspektori Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka konstatuar se punimet në Sinec janë duke u kryer në shkelje ligjore.

Gjatë një inspektimi të datës 5 gusht, 3 inspektorë të IKMT kanë konstatuar kundravajtje pasi ndër të tjera uji që do të merret nga burimi është pa leje administrative.