Banorët e Lumasit në ditën e shtatë të grevës, Ylmi Shuaipi nga spitali shkon sërish në grevë

Kanë hyrë në ditën e shtatë e grevës së urisë të banorëve të Lumasit, ku 5 grevistët janë gjendje të rënduar shëndetësore.

Ndërkohë grevisti Ylmi Shuaipi, pas mjekimit në spital, u rikthye serish në grevë.

5 grevistët që janë ngujuar që prej ditës së Martë në një godinë përballë zyrave të ish/komunës Lumas janë përkeqësuar nga ana shëndetësore.

Njëri prej grevistëve,Ylmi Shuaipi, u përcoll në gjendje të rëndë mbrëmjen e djeshme me ambulancë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku pasi mori mjekim, serum dhe kreu ekzaminimin e zemrës u rikthye sërish në grevë, edhe pse vijon të jetë i sëmurë.

Në gjendje të rënduar shëndetësore janë edhe të gjithë grevistët e tjerë, të cilët shfaqin probleme me tensionin,këputjen trupore dhe aritminë.

Vetë grevistët kanë deklaruar çdo ditë se,edhe pse janë të sëmurë dhe gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet,ata nuk do ta ndalin për asnjë moment grevën e urisë.

Grevistët i qëndrojnë fjalës së dhënë për ta çuar grevën e tyre deri në fund dhe për tu vetëflijuar nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre.

Ndërkohë që grevistët janë në ditën e tyre të shtatë të grevës së urisë,banorët e Lumasit kanë vijuar për çdo ditë protestat e tyre në kanionin e Sinecit.

Kujtojmë se banorët e Lumasit janë duke protestuar prej 4-muajsh në mbrojtje të ujit të burimit të Sinecit,duke kundërshtuar me forcë ndërtimin e ujësjellësit në këtë burim.

Edhe pse ADZM Elbasan në 29 Korrik mori vendimin për pezullimin e punimeve në kanionin e Sinecit,për shkak se është zonë e mbrojtur,punimet nuk janë ndërprerë për asnjë ditë.